Shkuarja e Isa Xhemajlajt në balotazh për kryetar të Drenasit është një e arritur e madhe për AAK-në dhe Nismën. Kështu po vlerëson deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.
Ky i fundit në një prononcim për ‘Indeksonline’, ka thënë se do të angazhohen fuqishëm qe ndryshimi të ndodhë jo vetëm në Drenas, por në të gjithë vendin.
“Kjo ishte një ngjarje e për Nismën dhe AAK-në. Kandidati ynë pati një performancë të jashtëzakonshme dhe presim qe në Drenas të ketë ndryshime dhe kjo u takon qytetarëve të Drenicës”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se Isa Xhemajlaj e meriton të jetë në krye të Drenasit dhe do të punojnë shumë qe ai të qeverisë më komunën e Drenasit.
Ndryshe, një ditë më parë është nënshkruar marrëveshja mes Nismës dhe AKR-së për balotazhin në Drenas.
Ndërsa, kandidati i pavarur Xhavit Drenori u ka dërguar ofertë dy kandidatëve të cilët do të garojnë në balotazh. Oferta përmban pesë pika dhe ai kërkon qe të mos jetë pjesë e ekzekutivit, por qe nga cilësia e asamblistit të monitorojnë zbatimin e kësaj marrëveshje.
Në anën tjetër, PDK nuk është e interesuar për koalicione. Kjo parti pritet të garojë e vetme në balotazhin qe pritet të mbahet më 18 dhjetor.