Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të dielën në një takim ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Lloyd Norman Axworthy, i cili ishte ministër gjatë kohës së periudhës së krizave në Kosovë.
Në një komunikatë për media të Kryeministrisë thuhet se Haradinaj e vlerësoi lart përkrahjen e Kanadasë në konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Ai theksoi se Kanadaja si shtet mik, ka pasur një rol aktiv në momentet më të rënda për Kosovën, por ka qenë prezent, po ashtu, me trupat e saj në Kosovën e pasluftës.
Kryeministri Haradinaj e ka informuar mysafirin me gjendjen e përgjithshme në Kosovë, me prioritetet e Qeverisë dhe rreth lehtësirave që do të krijohen në këtë mandat, për t’u hapur rrugë investitorëve potencialë.