Site icon Telegrafi

Haradinaj: Sylejman Selimi bëri luftën dhe paqen për të vërtetën e popullit të tij

Kryeministri, Ramush Haradinaj ka vizituar Sylejman Selimin i njohur si Sulltani.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj është shprehur i lumtur, që Selimi është rikthyer në familjen e tij.

“Gjeneral Sylejman Selimi bëri luftën dhe paqen për të vërtetën e popullit të tij. I lumtur që njëri nga dalzotësit e të drejtës së shqiptarëve për të jetuar të lirë në tokën e tyre, iu rikthye familjes dhe bashkëluftëtarëve”, ka shkruar Haradinaj.

Lexo po ashtu Thaçi, Veseli e Lushtaku mblidhen në Burojë, festojnë lirimin e Sylejman Selimit

Ndryshe, Paneli për lirim me kusht të premten, ka liruar nga burgu, ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.

Më 24 maj 2013, Sylejman Selimi ishte arrestuar dhe më vonë ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Ai ishte dënuar me 6 vjet burg.

Në qershor të këtij viti, të akuzuarit nga rasti që njihen si Drenica 1 dhe Drenica 2, janë kthyer në rigjykim.

Në rastin “Drenica”, janë gjykuar disa nga ish-komandantët e UÇK-së të cilët bartnin funksione publike, qoftë deputetë apo edhe kryetarë komunash, si Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku e të tjerë./Telegrafi/

Exit mobile version