Site icon Telegrafi

Haradinaj viziton SBASHK-un: Nuk e kuptoj pafytyrësinë e Kurtit dhe Nagavcit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar sot Sindikatën e Bashkuar të Arsimit të Kosovës.

Pas takimit me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, Haradinaj u shpreh se nuk e kupton “pafytyrësinë” e kryeministrit Albin Kurti dhe të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në çështjen e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore.

“Informatat që ne kemi marrë janë mjaft shqetësuese. Situata nuk është e mirë. Tani për prindërit do të jetë luftë e vërtetë për ti siguruar këto tekste, duke përfshirë këtu edhe problemin e kostos. Nuk e kuptoj pafytyrësinë e Kurtit dhe të ministres, të paktën një kërkim falje Kosovës. Kosova i paguan ata që në pranverë të kryhet çështja e teksteve për vjeshtë. Ata njerëz pa asnjë keqardhje dalin dhe i tallin të gjithë. Kjo situatë, në rrethana të njerëzve normalë, ndryshe duhet të ishte”, u shpreh Haradinaj.

E kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj deklaroi se procesi mësimor do të nisë më 1 shtator, por shtoi se shumë nxënës e mësimdhënës nuk do t’i kenë tekstet shkollore.

Jasharaj është shprehur se krahas gjendjes së krijuar, mësimdhënësit do të vazhdojnë “luftën me shkumës e shpuzë.

“Grevë nuk ka mësimi do të filloj të premten, por do të kemi nxënës dhe mësimdhënës pa tekste shkollore dhe nuk dihet se kur do të arrihet që të kompletohemi me to. Ne do të vazhdojmë betejën me shpuzë dhe shkumës. Urojmë që të mos humben shumë orë të mësimit”, tha Jasharaj.

Jasharaj ka theksuar se mësimdhënësit janë të indinjuar me situatën e krijuar për tekstet shkollore, e prindërit “janë të nervozuar dhe të prekur”.

Kreu i SBASHK-ut ka theksuar se rreth 300 mësimdhënës kanë kërkuar pushim pa pagesë, e sipas tij, kjo mund të jetë bërë për të dalë jashtë vendit, në kërkim të një jetese më të mirë. /Telegrafi/

Exit mobile version