Telegrafi

Haradinaj viziton familjen e shoferit që u vra në sulmin në Gllogjan

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar familjen e shoferit që u vra nga një sulm me armë zjarri në Gllogjan të Deçanit.

Haradinaj ka shpërndarë disa fotografi gjatë vizitës së familjes Gjoka në Gjakovë, transmeton Telegrafi.

“Sot me bashkëpunëtorë, ndamë dhembjen me familjen e Xhafer Gjokës në Skivjan të Gjakovës, pasi i biri i tij Ganiu, humbi jetën tragjikisht në Gllogjan së bashku me dy nxënës të fshatit.
Ai la pas vetes katër fëmijë të vegjël, Erblindin, Erlisen, Elesën dhe Elenën”, ka theksuar ai.

Kreu i AAK-së ka shtuar tutje “lutemi që kjo të jetë hera e fundit që ndodhin tragjedi të tilla”.

“Njëkohësisht apeloj tek institucionet përkatëse që të angazhojnë tërë kapacitetet për kapjen sa më parë të autorit të vrasjes së trefishtë. Ganiu u prehtë në paqe”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, para disa ditësh në fshatin Gllogjan të Deçanit është sulmuar me armë zjarri një autobus që po bartke nxënës. Sulmi ka ndodhur rreth orës 19:00, ku të vrarë kanë mbetur tre persona, shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Policia është në kërkim të autorit të krimit, ndërkohë Qeveria ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për ata që ofrojnë informacione lidhur me krimin. /Telegrafi/