Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti është mashtrim.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje kishte deklaruar se Kosova do të ketë liberalizimin e vizave dhe do të pranohet në Evropë pasi të largohen nga pushteti ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për shtrenjtimin e rrymës, Haradinaj ka pyetur Qeverinë rreth liberalizimit të vizave.
“Ju keni shkuar aq larg sa i keni thënë Kosovës, si të largohet UÇK-ja ka me na pranu Evropa, kanë me na dhënë liberalizimin. Ku e keni liberalizimin? Ku e keni ju lutem? Ju keni hy derë me derë keni thënë vetëm t’i largoni këta të UÇK-së, komandantët, qeveria e komandanteve, pronto komandantët. Ku jeni bre? Kush është duke ju pritë. Sot po lavdëroheni që nuk po harxhoni, nuk po harxhoni se keni mbetë mbyllur. Ku është liberalizimi i vizave çka ju tha ambasadorja e Francës para dy-tre ditësh. Jeni mbyt”, ka thënë Haradinaj, transmeton KP.
Haradinaj ka thënë se Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë eksperimente.
“Në Kosovë janë bërë shumë eksperimente. Një eksperiment i tillë është Vetëvendosje dhe Albin Kurti në këtë vend, dhe ka me dalë eksperiment. Dhe ka me dalë e keqja e këtij vendi. Më mirë është me kuptu të gjithë ne me kohë sesa me u thellu e me u shpraz më shumë mina nëpër rrugë për ne. Është minë bukur e keqe kjo ngritja e çmimit tash me energji”, ka thënë ai. /Telegrafi/