I nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK, AAK dhe Nisma, Ramush Haradinaj ka treguar se si erdhi deri tek koalicioni parazgjedhor me PDK-në, koalicion që më pas u diskutua shumë.
“Ajo çfarë unë konstatoj është se PDK ka marrë vendim para zgjedhjeve që të bashkojmë potencialin dhe të gjithë të kontribuojmë në politikat qeverisëse, përgjegjësitë me i pri Qeverisë ëhstë një nder, që do ta kthejë duke i shërbyer atdheut”.
“Është Veseli që më thirri në telefon, më tha që kanë bërë një vlerësim dhe kanë rënë dakord që të bashkohemi dhe të bëjmë një opsion politik qeverisës dhe Qeverisë t’i prijë unë”.
“Më tha se nëse jam i gatshëm mund të vendosim hapa të tjerë, në fillim nuk isha i sigurtë, pas reagimit të parë, u konsultova me kolegë që u mblodhën në selinë e AAK-së, pas dy-tre orë konsulta morëm vendimin por nuk ka pasur planifikim të mëhershëm”.
Haradinaj që është i ftuar në Magazina Zgjedhore ka thënë se në fillim kishte hamendje për këtë koalicion parazgjedhor.
“Kishte hamendje, ishte shqyrtim i krejt aspekteve, dhe një diskutim i ndërsjellë me kolegë, pasi shteruam këtë diskutim, ishte opsion i mundshëm, ishte edhe nder për AAK-në dhe mua, jemi konsultuar edhe me Limaj e NISMA-n”.
“Mendoj që edhe në PDK dhe në AAK ekzistojnë diskutimet e brendshme si mund t’i japim vendit qeverisje, çfarë fuqie politike është e nevojshme”.
Kandidati për kryeministër ka thënë se për elektoratin ky koalicion ishte një befasi.
“Elektorati e ka pritur me befasi, anëtarët e strukturat e AAK-së e shihnin si nder besimi që kryetari i tyre me udhëheqë Qeverinë, është nder dhe përgjegjësi”.
“Për votuesit e PDK-së dhe Veselit është mundësi që të ndryshohet gjendja në vend, është investim i përbashkët. Vlerësimi është se gjendja nuk është e mirë në vend, të gjitha problemet që i kemi në vend na kanë thirrur”.