Telegrafi

​Haradinaj: Vazhdimi i poshtërimit të Kurtit deri në armiqësi po i sjell Kosovës pasoja

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi sot se Kosova ka pasur marrëdhënie armiqësore me Serbinë dhe vazhdon të ketë, për të cilën tha se nuk është diçka e re.

Por, ai tha se nuk po flasin për atë se ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet për veriun, Haradinaj u shpreh se Kosovës nga Kurti dhe qeveria e tij po i ndodh mosbesim deri në pabesi.

“Ajo që nuk po e flasim ne në Kosovë është ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti. Pra, po e devijojmë sot atë që po i ndodh Kosovës nga kryeministri Kurti, nga Qeveria Kurti.Unë po ju them mendimet e mia se çka po i ndodh Kosovës nga Kurti dhe qeveria e tij. Mosbesim deri në pabesi, pra mosbesim deri në pabesi, jo befasi, po mosbesim deri në pabesi”, tha Haradinaj duke shtuar se Kurti dikur udhëheqës i Vetëvendosjes ka ngjallur e krijuar mosbesim të brendshëm.

Ai u shpreh se kryeministri Kurti në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim me aleatët e Kosovës, veçanërisht siç tha ai, me ata të sigurisë dhe “në garantin tonë kryesor të sigurisë që është Amerika”.

Lexo po ashtu Kuvendi diskuton për veriun, Kurti paraqet qëndrimin para deputetëve

“Në raste të caktume edhe është ekspozu me fjalorin e tij që i ka ngjasu Lavrovit apo shokëve të tij. Kjo i ndodhi edhe tash së fundi. Ky mosbesim i tij deri në pabesi sot po ndodh si kryeministër, si qeveri e një vendi dhe rezultat i këtij mosbesimi të mbjellur nga ky deri në pabesi po ndodhin ndëshkimet nga aleatët tonë për Kosovën, ndëshkim direkt për shkak të pabesive të kryeministrit të njëvendi, i cili është ndihmuar me iu çliru dhe janë garant ende të sigurisë sonë”, shtoi ai.

I pari i AAK-së tha se Kurti dikur ka mbjellur dhe ka nxitur poshtërim, siç tha ai, të të gjitha figurave dhe vlerave të krijuara me mund.

Ai potencoi se vazhdimi i armiqësimit të Kurtit deri në armiqësi po i sjell Kosovës pasoja të brendshme e të jashtme./kp/