Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë sot para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se formimi i Ushtrisë së Kosovës është proces i brendshëm, vendim sovran dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, që është ndër më të avancuarat në botë.
Haradinaj tha se formimi i Ushtrisë së Kosovës nuk i rrezikon raportet me NATO-n.
“Është proces i brendshëm, vendim sovran në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, që është ndër më të avancuarat në botë”, tha Haradinaj, duke shtuar se për formimin e Ushtrisë së Kosovës kanë zhvilluar bisedime intensive me të gjitha palët e interesuara.
Sipas tij, aleanca e NATO-s ka peshë të madhe, por Kosova është e sigurt që asnjëherë nuk i sjellë në rrezik marrëdhëniet me NATO-n.
Ai tha megjithëse nuk kanë arritur të gjithëve t’iu sqarojnë procesin e transformimit të FSK-së në ushtri, sipas tij, Kosova ka plotësuar kushtet bazike të sqarimeve me ecë para me ushtrinë.
Haradinaj ka folur edhe rreth propagandës së Serbisë për përdorimin e ushtrisë për veriun e Kosovës.
“…Nuk dedikohet krijimi i ushtrisë sulmit në veri, është rrenë e Serbisë qysh dinë ata me i bo…. Ne do të marrim veprime sqaruese për serbët e Kosovës. Narrativi që ju jepet nga Serbia serbëve në Kosovës është i qëllimshëm dhe nuk duhet të bien pre”, u shpreh ndër të tjera kreu i ekzekutivit të Kosovës.
Haradinaj rikujtoi edhe faktin se Kosova e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve në lufta të huaja, ndërsa në listën e pagave të Serbisë ka plotë që paguhen për pjesëmarrje në anën e Rusisë, në konfliktin Ukrainë-Rusi. /Telegrafi/