Lideri i AAK-së dhe kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj ka uruar popullin amerikan për 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve.
Haradinaj në rrjetin social Facebook shkruan se populli i Kosovës u është përherë mirënjohës Qeverisë dhe popullit të SHBA-ve për ndihmën dhe mbështetjen në realizimin e aspiratës historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Lexoni të plotë postimin e Haradinajt në Facebook:
“Me rastin e 241 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë e veçantë të përcjell urimet më të ngrohta e të përzemërta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, popullin mik amerikan, Ambasadën e SHBA-ve në Republikën e Kosovës, amerikanët me mision në Kosovë dhe paqeruajtësit në radhët e KFOR-it.
Populli i Kosovës u është përherë mirënjohës qeverisë dhe popullit të SHBA-ve, për ndihmën dhe mbështetjen në realizimin e aspiratës historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në të gjitha përpjekjet tona për shtet dhe dinjitet kombëtar e qytetar.
SHBA-të janë vendi ynë mik dhe partneri kryesor strategjik në ruajtjen e paqes dhe lirisë, konsolidimit demokratik dhe zhvillimit të Kosovës.
Sot ndjehemi krenarë që jemi rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara. Sot festojmë edhe ne krah për krah me Shtetet e Bashkuara!”.