Site icon Telegrafi

Haradinaj uron Mbretin Charles III: I bindur se miqësia mes vendeve tona do të vazhdojë të rritet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar Mbretin Charles III pas kurorëzimit si Mbret i Mbretërisë së Bashkuar.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se vizitat e mbretit Charles III në Kosovë, e para në vitin 1999 dhe e dyta në 2016, janë tregues për marrëdhënie të shkëlqyera mes dy vendeve.

“Lidhja e Mbretit Charles III me Kosovën, është para së gjithash personale. Vizitat e tij në Kosovë, herën e parë në shtator 1999 dhe herën e dytë në mars 2016 janë tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi me Mbretërinë e Bashkuar”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shprehur vlerësimin dhe ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën në secilën etapë të saj.

“Në ditën e kurorëzimit të tyre, Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla, iu shpreh urimet më të përzemërta! Njëkohësisht shpreh vlerësimin dhe falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës në përpjekjet për liri dhe shtetndërtim. Jam i bindur se partneriteti dhe miqësia mes dy vendeve tona do të vazhdojë të rritet edhe më tej në të ardhmen”, është shprehur Haradinaj.

Exit mobile version