Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar Ditën e Çlirimit të Suharekës, duke thënë se u bënë 21 vite prej kur ata që mbajtën nën robëri popullin u larguan nga kjo anë.
Haradinaj në një postim të tij në rrjetin social Facebook ka shkruar se dashuria e madhe për liri e dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, ngadhënjeu kundrejt atyre që donin zhdukjen e popullit shqiptar.
“U bënë njëzetenjë vite prej kur ata që mbajtën nën robëri këtë popull me dekada u larguan nga Suhareka. Dashuria e madhe për liri e dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, ngadhnjeu kundrejt atyre që donin të zhduknin popullin shqiptar”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj është shprehur falënderues për ndihmën e shteteve perëdimore, ndërsa ka kërkuar drejtësi për viktimat që e pësuan nga kjo luftë.
“Gjithmonë falënderues ndaj ndihmës së aleatëve ndërkombëtarë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithmonë në kujtim të të rënëve. Gjithmonë në kërkim të drejtësisë për viktimat e pafajshme. Urime Dita e Çlirimit, Suharekë!”, ka shkuar kryetari Haradinaj. /Telegrafi/