Telegrafi

Haradinaj u adresohet qytetarëve në prag të zgjedhjeve, kërkon votën e tyre për tu bërë president

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një video-mesazhi i është drejtuar qytetarëve të Kosovës, ku ka kërkuar nga ta ta përkrahin me vota, duke u zotuar se do të punojë në interesin e popullit.

Haradinaj ka kërkuar besimin e qytetarëve për të qenë president i Kosovës, duke u zotuar se do të punojë në interes të vendit.

“Asnjëherë, nuk kam shërbyer dhe nuk kam vendosur kundër interesit të vendit tim, pra çdo herë në jetën time kam qenë me interesin e Kosovës, me interesin e popullit të Kosovës. Kërkoj besimin tuaj, kërkoj votën tuaj, që të udhëheqë vendin, që të jemi presidenti juaj, presidenti i Republikës sonë”, u shpreh ai.

Adresimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Kosovës, vëllezër dhe motra, në këto zgjedhje do të ndodhë rikonfigurim i skenës politike në Kosovë.

Që nga paslufta, që nga pavarësia, në Kosovë në etapa të ndryshme, kanë udhëhequr PDK dhe LDK, me të arriturat por edhe me gabimet e tyre.

Tani ju do të vendosni se kush do të udhëheqë në Kosovë.

Ashtu siç Qeveria që i ka përgjegjësitë e veta me rëndësi, edhe Presidenti i vendit ka përgjegjësi mjaft të rëndësishme.

Duke e pasur një President të qëndrueshëm, i cili përballet edhe me vendin fqinj tonë Serbinë, që ka qasje armike ndaj nesh, atëherë, ne jemi më të sigurt.

Asnjëherë, nuk kam shërbyer dhe nuk kam vendosur kundër interesit të vendit tim, pra çdo herë në jetën time kam qenë me interesin e Kosovës, me interesin e popullit të Kosovës.

Kërkoj besimin tuaj, kërkoj votën tuaj, që të udhëheqë vendin, që të jemi presidenti juaj, presidenti i Republikës sonë.

Zoti e bekoftë Kosovën – ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/