Site icon Telegrafi

Reagime në Kosovë nga pozita e opozita pas shpërthimit në Stamboll

Zyrtarë institucionalë e kryetarë të partive politike në Kosovë kanë reaguar pas shpërthimit vdekjeprurës në Stamboll.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se ndihet e pikëlluar thellësisht nga lajmi i shpërthimit të tmerrshëm në zemër të Stambollit sot.

“Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e viktimave dhe të gjithë të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë. Ne qëndrojmë me popullin e Turqisë gjatë kësaj kohe të vështirë:, ka shkruar Osmani në Twitter.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime Turqisë dhe popullit turk pas shpërthimit vdekjeprurës në Stamboll.

“I shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta Republikës së Turqisë pas shpërthimit të sotëm vdekjeprurës në Stamboll. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e atyre që humbën jetën, ndërsa të plagosurve u uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave që humbën jetën në shpërthimin e sotëm në Stamboll.

“Më trishtim morëm lajmin për humbjen e jetëve të pafajshme të disa personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve si pasojë e shpërthimit të sotshëm në Stamboll. Ndajmë dhimbjen e madhe me familjet e viktimave dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë të lënduarve”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

“Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet, popullin turk, Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe Presidentin e Turqisë”, ka shtuar ai.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla  në reagimin e tij për ngjarjen është lutur që ky të jetë rasti i fundit që ka tronditur popullin turk duke uruar në zbardhjen sa më të shpejtë të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje të kobshme.

“Me keqardhje sot morëm lajmin e një shpërthimi në Stamboll nga i cili humbën jetën 6 qytetarë e dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Në këto momente të vështira, ndajmë dhimbjen me të gjithë popullin turk, me institucionet atje e në veçanti me familjarët e viktimave. Të gjithë të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë. Lutemi që të jetë rasti i fundit që ka tronditur popullin turk dhe të gjithë ne. Shpresojmë në zbardhjen sa më të shpejtë të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje të kobshme”, ka shkruar Sveçla.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është shprehur i tronditur, teksa ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.

“Të tronditur morëm lajmin e hidhur për humbjen e jetrave të qytetarëve turq, dhe plagosjen e shumë të tjerëve nga shpërthimi i sotëm në Stamboll”.

“Në emrin tim, zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK- së, shprehim dhimbjen, ngushëllimet e thella dhe solidaritetin e plotë me familjet e viktimave, ministrin Akar, Ministrinë, gjithë ushtarakët e forcave turke dhe gjithë popullin turk”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur i tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll.

Ai shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa shpreson që përgjegjësit e këtij akti terrorist të dalin sa më shpejt para drejtësisë.

”Jam i pikëlluar dhe i tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll që la disa të vdekur dhe dhjetëra të lënduar. Në këto momente të vështira, ndajmë dhembjen me institucionet e Republikës së Turqisë dhe popullin mik turk.

Familjeve të viktimave u shpreh ngushëllimet e mia të thella dhe për të lënduarit uroj shërim sa më të shpejtë. Shpresoj që përgjegjësit e këtij akti terrorist të gjenden e të dalin para drejtësisë sa më parë”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dënuar sulmin në Stamboll dhe bashkëndjenë me popullin turk.

“Thellësisht i tronditur nga sulmi i sotëm në Stamboll. Në këto momente të rënda për popullin turk, bashkëndjej dhimbjen e madhe për familjet që humbën më të dashurit e tyre ndërsa të lënduarve ju uroj shërim të shpejtë. Sulmet e tilla na kujtojnë që shtetet duhet të jenë bashkë e të mobilizuar kundër çdo sulmi dhe çdo agresori që cenon sigurinë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në reagimin pas shpërthimit në Stamboll, ka thënë se aktet e tilla qyqare na kujtojnë edhe njëherë që bota duhet të jetë bashkë, e demokratizuar dhe e zëshme kundër dhunës dhe terrorit.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se ndihet i tronditur nga shpërthimi i së dielës në Stamboll, ku të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe mbi 50 të tjerë u plagosën.

“Lutemi për viktimat, të lënduarit dhe familjet e tyre. Qëndrojmë pranë Turqisë në këtë ditë të kobshme”, u shpreh Haradinaj.

Tash për tash nuk dihet shkaku i shpërthimit, por autoritetet turke dyshojnë se ai mund të ishte shkaktuar nga një grua.

Kujtojmë se në shpërthimin e së dielës në Stamboll, gjashtë persona humbën jetën dhe 53 të tjerë u lënduan./Telegrafi/

Exit mobile version