Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka komentuar dorëheqjen e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
Pas akademisë përkujtimore për dëshmorët Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, i pyetur nga mediat kryeministri ka kërkuar që të pritet deri nesër për të komentuar këtë çështje.
“A më pritni nesër ju jap përgjigje se sot jam me do detyra për besë. Jemi tash me disa detyra, nesër do të bisedojmë bashkë”, ka thënë shkurt kryeministri Haradinaj.
Sot kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri kanë dhënë dorëheqje dhe kanë deklaruar se ndërpresin çdo komunikim me Prishtinën zyrtare, e arsye për këtë ata kanë thënë se është vendosja e taksës 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinë./KP/