Site icon Telegrafi

Haradinaj thotë se Edi Rama kur ka folur për ndarje i ka shpallur luftë Kosovës

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vazhduar replikat në distancë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Haradinaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se ai po mundohet të harrojë Edi Ramën por ky i fundit nuk po harron ta përmend atë.

“Unë nuk jam më kryeministër nuk e di pse po i nevojitem atij. Ndoshta për luftën e brendshme, ndoshta për Vuçiqin. Habitem pse akoma po merret me mua”.

I pari i AAK-së thotë se falënderon Ilir Metën për deklaratat në mbështetje të tij në raportet me Edi Ramën, përcjell Telegrafi.

“Në Kosovë ka respekt për institucionet shqiptare. Por ndryshe është situata me Edi Ramën. Duhet të ketë reagime nga Shqipëria pasi ai me të vërtet po e tepron Edi Rama. Ai nuk duhet t’i fusë hundët shpesh në punët e brendshme të Kosovës”.

Lexo po ashtu Haradinaj: Për Gjykatën Speciale, unë, Thaçi, Limaj e Veseli u bëmë kundër Amerikës e nuk u mërzitem aspak

Ish-kryeministri i Kosovës thotë se replikat me Edi Ramën mund ta tensionojnë situatën ndër shqiptare edhe më tej.

Ai thotë se kur flitet për ndarje të Kosovës është një shpallje e luftës.

Lexo po ashtu Haradinaj replikon në distancë me Edi Ramën: Ka indinjatë ndaj meje, i prisha planet për ndarje të Kosovës

I pyetur nëse Edi Rama i ka shpallur luftë Kosovës, Haradinaj është përgjigjur: “Kur flitet për ndarje ju e dini se çfarë është ajo. Aty ka agresion territorial, kushtetues e politik”, ta ndër të tjera Ramush Haradinaj./Telegrafi/

Exit mobile version