Site icon Telegrafi

Haradinaj thirrje partive politike për unitet: Si president do të jem roje i Kosovës

Kandidati për president të Kosovës nga AAK, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje gjithë spektrit politik në vend për unifikim në mënyrë që të jetë më e lehtë përballja me sfidat që e presin Kosovën dhe pasojat që ka shkaktuar pandemia.

Haradinaj përmes një video-incizimi tha se ëndrrat tona mund t’i realizojmë vetëm duke qenë së bashku.

“Në këtë vit, ne jo vetëm që duhet të përballemi me pasojat e pandemisë, me rikthimin dhe ringjalljen ekonomike të vendit, por ne duhet të punojmë që të forcojmë Kosovën në planin e sigurisë, që të përmirësojmë arsimin, shëndetësinë, sundimin e ligjit. Ne, pra forcat politike, duhet të jemi të bashkuar për t’u përballur me të gjitha këto pasoja, e me gjitha këto sfida që e presin Kosovën. E di se e kemi ëndërr të gjithë ne që Kosova jo vetëm që të forcojë ushtrinë e sigurinë e vendit por edhe të anëtarësohemi në NATO. Do ta realizojmë ëndrrën tonë së bashku. E kemi po ashtu ëndërr t’i bashkohemi familjes evropiane, të jemi anëtar i BE-së. Do të punojmë në këtë drejtim që Kosova të anëtarësohet në BE dhe OKB, pra na pret shumë punë. Jam i bindur që shumë prej nesh në Kosovë, e ndonjë rast edhe unë vet, kam qenë i zhgënjyer me politikën në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se ka kërkuar besimin për president të vendit në mënyrë që vetëm kështu mund të jetë, siç shprehet ai, roje i Kosovës.

“Unë e kam kërkuar besimin tuaj që të jem president i vendit, e nëse zgjidhem president do të jem roje i Kosovës, i Kosovës së pavarur, i Kosovës që është shtëpia jonë e të gjithë neve, e që e arritëm me shumë mund, me shumë dhimbje, me shumë gjak, me shumë sakrificë. Kërkoj të jemi të bashkuar, pra për Kosovën tonë”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se 14 shkurti e fuqizon Kosovën duke e cilësuar si nisje e re për vendin.

“Kërkoj që me 14 shkurt të gjithë ta fuqizojmë Kosovën. Le të jetë 14 shkurti një nisje e re për Kosovën”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version