Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar për takim kryetarët e partive parlamentare, ndërsa takimi është ftuar për të enjten në ora 14:00
Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se qëndrimi i tij dhe i AAK-së është se taksa duhet të mbahet deri në njohje në kufijtë ekzistues nga Serbia.
Lexoni të plotë postimin e Haradinajt:
“Ne kemi para nesh mundësinë e unifikimit të qëndrimeve në dy tema:
- Ecjen përpara me Amerikën apo pritjen për Evropën;
- Taksën, për të cilën disa kërkojnë suspendim, disa heqje pa kushte, disa reciprocitet para apo pas heqjes.
Qëndrimi im dhe i AAK-së është se taksa duhet të mbahet deri në njohje në kufijtë ekzistues nga Serbia. Për të dalë nga situata që e dobëson pozicionin e Kosovës, nesër në ora 14:00, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, kam ftuar takimin e kryetarëve të partive parlamentare.
Uroj që të mos refuzohet bashkimi e përpjekja për unitet, në këtë moment vendimtar për vendin”. /Telegrafi/