Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg lidhur me transformimin e FSK-së në Ushtri.
Haradinaj theksoi se gjatë bisedës me Stoltenberg e ka njoftuar se vendimi për tranforimimin e FSK-së është vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor dhe përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore.
Lexoni të plotë njoftimin e Haradinajt:
“Sot zhvillova një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s z. Jens Stoltenberg.
Shpreha falënderimin tim dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e NATO-s për një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Gjithashtu shpreha respektin dhe ndjenjën e thellë për shumë ushtarë të NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë.
Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore.
FSK do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Institucionet e Kosovës do të sigurohen të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR dhe NALT, pasi që ndajmë të njëjtat shqetësime të sigurisë, interesat dhe vlerat”, shkruan Haradinaj. /Telegrafi/