Vendimi i Gjykatës në Francë lidhur me rastin e Ramush Haradinajt, është masë procedurale për të siguruar praninë e të pandehurit të një procedurë gjyqësore, ka sqaruar në një prononcim për Telegrafin, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Sipas tij, masa që gjykata në rastin Haradinaj e ka vendosur është paraqitja dy herë në javë pranë autoriteteve në Francë.
“Masa e caktuar nga gjykata në Francë hyn në kuadër të masave të buta për të siguruar praninë e të pandehurit në procedurë, përderisa masa më e rëndë është padyshim ajo e paraburgimit gjë që në rastin konkret gjykata franceze nuk e ka zbatuar, duke pasur parasysh edhe garancinë që shteti i Kosovës ka dhënë për Haradinajn”, ka thënë Miftaraj.
Ai po ashtu tha se e njëjta gjykatë do ta shqyrtojë kërkesën e Serbisë lidhur me ekstradimin e Haradinajt.
“Pa marrë parasysh vendimin që është marrë dje lidhur me masën e sigurisë, e njëjta gjykatë në ditët apo javët në vazhdim do të shqyrtojë kërkesën e Serbisë lidhur me ekstradimin e Haradinaj. Po ashtu, do të merren për bazë edhe shkresat e dokumentet e paraqitura nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës në mbrojtje të Haradinajt dhe argumentet e vet avokatëve të tij”, shpjegoi ai.
Miftaraj gjithashtu tha se duke pasur parasysh përvojat e mëhershme, vendimi final me siguri të plotë do të jetë që Haradinaj të lirohet.
“Por, vendimi i tillë mund të mund të marrë kohë edhe disa javë”. /Telegrafi/