Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka shkruar se krijimi i Zonës Ekonomike Amerikane ka rëndësi për hapjen e vendeve të punë dhe përforcimit të lidhjeve me SHBA-të.
“Krijimi i kësaj hapësire ekonomike është hap tejet i rëndësishëm që do të hap vende të reja të punës, zhvillim ekonomik dhe që do ta përforcojë lidhjen tonë me SHBA-të”, ka shkruar Haradinaj, përcjell Telegrafi.
Ai ka treguar janë angazhuar që t’i kryejnë të gjitha obligimet institucionale drejt realizimit të zonës.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë krahas shumë vendimeve që morëm bashkë më ministrat, kërkova nga ata që të angazhohen për të kryer të gjitha obligimet institucionale drejt realizimit të Zonës Ekonomike Amerikane”, ka shkruar ai.
Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dalë pro idesë për një zonë të lirë ekonomike për investitorët amerikanë dhe kjo mbështetje e tij vjen pasi një kërkesë të tillë e ka bërë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka.
Interesimin e amerikanëve për të investuar në Kosovë e ka thënë edhe vetë drejtori i OEAK-ut, Zeka.
“Investitorët amerikanë janë të interesuar për një zonë të veçantë ekonomike në Kosovë ku do të mund t’i gjenin kushte minimale infrastrukturore për të shtrirë investimin e tyre. Institucionet e Kosovës do të duhet ta mos neglizhojnë këtë zonë dhe të jetësohet”, ka thënë ai. /Telegrafi/