Telegrafi

Haradinaj: Do të ishte gabim të hiqet taksa 100 për qind ndaj Serbisë pa e njohur Kosovën

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë, theksoi se taksa ndaj Serbisë nuk duhet të hiqet pa ndodhur njohja e Kosovës nga ky shtet fqinj, teksa shtoi se e pëlqen idenë e reciprocitetit për çështje të tjera.

Po ashtu, ai vlerësoi se taksa e vendosur një vit më parë ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, ka qenë e dobishme për ekonominë e Kosovës dhe konsolidimin e shtetit.

“Unë e pëlqej idenë e reciprocitetit, por nuk duhet të ketë implikim në taksë, le të mbetet taksa, sepse me Serbinë ky është një dënim. Të vendoset reciprociteti për aspekte të tjera, sepse ka edhe aspekte të tjera. Mirëpo, unë nuk e kuptoj pse duhet hequr taksën. Pra, habitem me qëndrimin e kujtdo që i kthen mallrat serbe ose e pushton Kosovën ekonomikisht nga Serbia pa e marr njohjen. Është një gabim kapital politik dhe kushdo që shkon asaj rruge do të bëjë gabim të madh, vendit dhe proceseve”, deklaroi Haradinaj.

Lexo po ashtu Një vit nga vendosja e taksës 100 për qind, bizneset kërkojnë reciprocitet tregtar

Në anën tjetër, përfaqësues të biznesit thonë se vendosja e tarifës 100 për qind e ka qenë pozitive dhe se kjo duhet të kthehet në reciprocitet.

Qeveria Haradinaj nëntorin e vitit të kaluar vendosi masën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke thënë se taksa do të hiqet vetëm pasi Serbia të njohë Kosovën. /KP/