Site icon Telegrafi

Haradinaj: Të gjithë të punojmë që Trepça të ringjallet

“Qeveria e Kosovës vitin 2018 e ka shpallur vit të Trepçës. Andaj, të gjithë duhet të punojmë me përkushtimin më të madh që ky gjigant të ringjallet, të aktivizohen resurset dhe Trepça të kthehet në misionin e saj, zhvillimin e Kosovës”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në takim me anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça”, të kryesuar nga Ardian Syla.

Duke theksuar rëndësinë e madhe që ka Trepça në zhvillimin ekonomik të Kosovës, kryeministri Haradinaj, kërkoi nga anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të Trepçës, që transparenca, llogaridhënia dhe përkushtimi deri në funksionimin e tërësishëm të të gjitha njësive afariste të Trepçës, të jenë prioritet gjatë punës së Bordit Mbikëqyrës.

Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës, Ardian Syla, e njoftoi kryeministrin Haradinaj me punët që janë bërë që nga takimi i parë, në hartimin e statutit të Trepçës, regjistrimin e saj si shoqëri aksionare si dhe për zgjedhjen e bordit menaxhues.

Haradinaj, inkurajoi anëtarët e Bordit që përkushtohen në zgjidhjen dhe tejkalimin e gjitha problemeve, veçmas në finalizimin e statutit, duke ofruar mbështetjen e pakursyer të qeverisë.

Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj. /Telegrafi/

Exit mobile version