Ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore dhe autostradën Prishtinë-Beograd, duke e përshëndetur vizionin dhe udhëheqjen efektive të presidentit amerikan Donald Trump dhe ambasadorit Richard Grenell për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Haradinaj në një postim në Twitter tha se tash është e nevojshme finalja e madhe, njohja reciproke ndërmjet dy vende, ashtu siç ka potencuar presidenti amerikan, Trump.
“Tash është e nevojshme finalja e madhe, njohja reciproke…”, u shpreh Haradinaj.
Ndryshe, sot gjatë paradites Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha, përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në. /Telegrafi/
I applaud @RichardGrenell & @POTUS vision & leadership in effectively facilitating the functional normalisation of the rail & highways connecting #Kosovo & #Serbia. Now the Grand Finale is needed: Mutual Recognition, as @POTUS rightly highlighted in the two last year letters.
— Ramush Haradinaj (@haradinajramush) February 14, 2020