Site icon Telegrafi

Haradinaj: Taksa nuk hiqet as në Samitin e Berlinit, e as në ndonjë samit tjetër

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet as në samitin e Berlinit e as në ndonjë samit tjetër.

Një deklaratë të tillë, kryeministri Haradinaj e ka dhënë në emisionin Pressing, ku ka folur ndër tjerash edhe rreth Samitit në Berlin, ku do të pritet nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

Haradinaj ka thënë se as atje nuk hiqet taksa, ndërsa thotë se Mogherinin e kanë nxjerrë nga loja Merkel dhe Macron.

Haradinaj ka dhënë detaje nga Samiti i Berlinit që do të mbahen të hënën.

Siç ka thënë Haradinaj, shkruan Express, Merkel e Macron i kanë rezervuar Kosovës dhe Serbisë takim të veçantë.

“5 deri në 7 është pjesa formale, ndërsa është një pjesë tjetër që quhet vazhdim, e që temë është Kosova. Aty nuk janë vetëm palët nga Kosova, por edhe nga regjioni. Gjatë gjithë kohës do të jenë edhe Merkel edhe Macron”, është shprehur kryeministri.

Ai tutje ka folur edhe për rolin e përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherinit, me të cilin Haradinaj ka pasur përplasje e mosmarrëveshje.

“Mogherini i ka bërë shumë dëme BE-së dhe Ballkanit. Gati na ka kthy në të kaluarën. Në vend që të ketë fokusin te tema e njohjes së Kosovës, ajo e ktheu te tema e territoreve. Nuk besoj që duhet të presim zgjidhje nga z. Mogherini”, është shprehur ai.

“Fakti që nuk është në nikorqirllëkun e Mogherinit është një kthesë. Fakti që ajo është e ftuar si mysafire në Berlin, ia kanë tregu vendin”.

Kryeministri nuk pret që në Berlin të negociohet, pasi sipas tij, Kosova ka të mandatuar një tjetër ekip negociator.

“Nuk jemi aty për negocim, por ndoshta produkti më i mirë nga ky samit do të ishte rikthimi i palëve në tavolinën e bisedimeve”, është shprehur kryeministri.

Exit mobile version