Me qëllim të përmbushjes së agjendës legjislative për vitin 2019, kryeministri Haradinaj ka pritur sot në takim shefat e grupeve parlamentare të koalicionit qeverisës, PDK-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate.
Haradinaj theksoi se përmbushja e agjendës legjislative është prioritet i qeverisë.
“Përmbushja e agjendës legjislative për vitin 2019 është një nga prioritetet e Qeverisë dhe në këtë frymë, sot prita në takim shefat e grupeve parlamentare të partive të koalicionit qeverisës Memli Krasniqin nga PDK, Ahmet Isufin nga AAK dhe Bilall Sherifin nga Nisma”, ka shkruar në Facebook Haradinaj.
I pari i qeverisë kosovare ka vlerësuar se në Kosovë, ka nevojë për një dinamikë të re ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë.
“Kosova ka nevojë për një dinamikë të re të bashkërendimit të punëve Qeveri – Kuvend dhe ky takim është në funksion të intensifikimit të angazhimeve tona për ta përmbyllur agjendën legjislative, pjesë e detyrimeve tona për integrim euro-atlantik”, shkruan Haradinaj. /Telegrafi/