Telegrafi

Haradinaj takon Sekretarin e Vatikanit, i kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka takuar Sekretarin e shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se vizita e Kardinalit Parolin, është dëshmi e përkushtimit të përbashkët për avancimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetin e Vatikanit.

Postimi i plotë:

Takim i ngrohtë me Sekretarin e shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

I nderuar me vizitën e Eminencës së Tij që po i bënë Kosovës, një dëshmi e përkushtimit të përbashkët për avancimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetin e Vatikanit.

Kosova dhe populli i saj, ndër shekuj kanë dëshmuar vlera perëndimore dhe sot jemi të përkushtuar si shtet në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe lirisë fetare në vend. Këtë përkushtim ia shpreha edhe Sekretarit Parolin, duke shprehur zotimin tonë, për avancimin e këtij partneriteti dhe duke kërkuar njëkohësisht njohjen nga Selia e Shenjtë. /Telegrafi/