Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion të Këshillit të Boshnjakëve të Malit të Zi që veprojnë në New York, të udhëhequr nga kryetari Esad Rastoder.
Në një postim të tij në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka treguar se në këtë takim kanë biseduar për aktualitetin në vend dhe rajon, si dhe për thellimin e miqësisë ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij boshnjak.
Sipas tij, boshnjakët në Kosovë janë pjesë e trashëgimisë së pasur historike dhe kulturore.
“Kënaqësi e veçantë të bashkëbisedojmë për aktualitetin në vend dhe rajon, si dhe për thellimin e miqësisë ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij boshnjak. Falënderova Këshillin e Boshnjakëve në New York, për ndihmën që ata kanë dhënë për refugjatët tanë gjatë luftës. Boshnjakët në Kosovë janë pjesë e trashëgimisë së pasur historike dhe kulturore, me të cilët po rrugëtojmë së bashku në proceset, arritjet dhe zhvillimin e shtetit tonë, ku me sukses po ndërtohet një demokraci multietnike mbi parimet e barazisë dhe vlerave euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/