Telegrafi

Haradinaj takon ish-presidentin korat, Mesiq: Rrugëtimi i Kroacisë drejt BE-së dhe NATO-s, shembull që duhet ta ndjekë Kosova

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka takuar ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq.

Haradinaj ka thënë se Mesiq ishte krah Kosovës në të gjitha etapat.

“Pata kënaqësinë të ndajmë bashkë momente të këndshme me ish-presidentin e Republikës së Kroacisë, z. Stjepan Mesiq dhe miq tjerë. Mesiq, një mik i madh i shqiptarëve dhe mbështetës i fuqishëm i Kosovës dhe popullit të saj, në të gjitha etapat, që nga lëvizja paqësore në vitet ’90-ta deri te lufta çlirimtare si dhe rrugëtimi i vendit tonë drejt pavarësisë”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i AAK-së theksoi se rrugëtimi i Kroacisë drejt BE-së e NATO-s, është shembull për Kosovën.

“Shembulli i rrugëtimit të Kroacisë deri në anëtarësim në BE dhe në NATO, është një shembull të cilin duhet ta ndjek Kosova në agjendën e saj euro-atlantike”, është shprehur Haradinaj.