Telegrafi

Haradinaj takon invalidët civilë të luftës: T’i mundësohet trajtimi meritor që iu takon

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion nga Shoqata e Invalidëve Civilë të Luftës me të cilët ka biseduar pët sfidat me të cilat ballafaqohen ata.

Haradinaj ka thënë se mungesa e protezave dhe pensionet e ulëta e kanë vështirësuar tej mase pozitën e tyre.

“Vendi ynë e pagoi shtrenjtë lirinë që e gëzojmë sot. Gjatë luftës së fundit shumë familjarë humbën më të dashurit e tyre e shumë tjerë e pësuan edhe me humbjen e gjymtyrëve, pasoja të cilat i vuajnë edhe sot. Të njëjtin fat e përjetuan edhe shumë vëllezër e motra civilë. Sot, me Shoqatën e Invalidëve Civilë të Luftës biseduam për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen çdo ditë. Mungesa e protezave dhe pensionet e ulëta e kanë vështirësuar tejmase pozitën e tyre”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se qeveria e Kosovës nuk i ka përfillur kërkesat e kësaj kategorie të shoqërisë.

“Fatkeqësisht, kërkesat e kësaj kategorie nuk janë përfillur nga kjo qeveri. Është i papranueshëm mohimi që i bëhet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në mbulimin e trajtimit mjekësor. Kjo kategori e shoqërisë nuk e ka vendin në rrugë, ashtu siç protestuan së fundi në kërkim të të drejtave të tyre, por duhet t’i mundësohet trajtimi meritor që iu takon”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj është zotuar se në momentin e parë që do të jemi në vendimmarrje do t’i trajtojmë me kujdes kërkesat e tyre.

“U zotova para tyre që në momentin e parë që do të jemi në vendimmarrje do t’i trajtojmë me kujdes dhe do të kujdesemi për plotësim të kërkesave të tyre. Kosova e ka borxh kujdesin ndaj njerëzve të saj!”, ka përfunduar Haradinaj./Telegrafi/