Site icon Telegrafi

Haradinaj takon gjeneralin Eberhard Zorn, premtohet përkrahja e Gjermanisë për Kosovën

Kontributi i shtetit gjerman dhënë Kosovës në të gjitha etapat, e në veçanti në çështjen e sigurisë përmes trupave të KFOR-it gjermanë, ka luajtur rol vendimtar në çlirimin dhe tani në krijimin e stabilitetit dhe të ambientit të sigurt për qytetarët e vendit.

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me shefin e stafit të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, gjeneralin Eberhard Zorn.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar gjeneralin Zorn për prioritetet e Qeverisë, zhvillimet politike në vend, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, procesin e transformimit të FSK-së në ushtri, duke kërkuar nga shteti gjerman që edhe më tutje të jetë mbështetës i të gjitha proceseve të mëdha.

Duke e falënderuar shtetin gjerman për kontributin e gjithanshëm në shtetndërtimin e Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se mbështetja e Gjermanisë është e domosdoshme edhe më tutje, në shumë procese të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë në nivel të shkëlqyer që nga kohërat më të vështira. Ndërsa, tani jemi duke punuar që ky bashkëpunim të jetë i frytshëm edhe në zhvillimin ekonomik dhe fusha tjera të interesit të përbashkët”, tha kryeministri Haradinaj, duke marrë si shembull të mirë shndërrimin e kampit ushtarak gjerman në Park Inovativ dhe Trajnues.

Shefi i stafit të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, gjenerali Eberhard Zorn, vlerësoi të arriturat në Kosovë në fushën e sigurisë dhe krijimin e një ambienti të qetë për të gjithë qytetarët, duke konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën.

Në shenjë falënderimi, Haradinaj e nderoi gjeneralin Eberhard Zorn me medaljen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, si dhe komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama. /Telegrafi/

Exit mobile version