Site icon Telegrafi

Haradinaj takon drejtoreshën e misionit MCC në Ambasadën amerikane, bisedojnë për sfidat në të cilën po kalon Kosova

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj sot ka pritur në takim Sarah Olmstead, drejtoreshë e Misionit të MCC në Ambasadën Amerikane në Prishtinë me të cilën bisedoi për sfidat në të cilën po kalon Kosova.

Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kontributi i ShBA-së është i pazëvendësueshëm dhe programi Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është dëshmi e vazhdimësisë së këtij partneriteti afatgjatë mes dyja vendeve.

“Kosova ka arritur të ndërtojë demokraci të qëndrueshme dhe të avancojë në zhvillim, falë ndihmës së aleatëve tanë. Kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pazëvendësueshëm dhe programi Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është dëshmi e vazhdimësisë së këtij partneriteti afatgjatë mes dyja vendeve. Sot kisha nderin të pres në takim zonjën Sarah Olmstead drejtoreshë e Misionit të MCC në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, me të cilën bashkëbiseduam për sfidat në të cilat po kalon Kosova, dhe e falënderova për kontributin e shkëlqyeshëm të MCC, që përmes projekteve të shumta, dinamizojnë zhvillimet në forcimin e ekonomisë, sigurisë dhe demokracisë në vendin tonë”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje ai ka shkruar se i ka konfirmuar edhe njëherë mbështetjen e tij për projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, si dhe për projektet e tjera strategjike në dobi të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version