Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, është takuar me nikoqirin e kësaj konference diplomatin gjerman Wolfgang Ischinger.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se me diplomatin gjerman dhe liderë të tjerë botërorë po zhvillon bashkëbisedime konstruktive për të çuar përpara agjendën euro-atlantike të Kosovës.
“Shtrëngim duarsh me diplomatin e njohur gjerman dhe nikoqirin e Konferencës së Sigurisë në Munih, Wolfgang Ischinger dhe liderë të tjerë botërorë, në ditën e dytë të këtij forumi.
Bashkëbisedime konstruktive, për ta çuar përpara agjendën euro-atlantike të vendit”, ka shkruar Haradinaj.
Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, kanë takuar ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, po merr pjesë delegacioni shtetëror i Kosovës i nivelit më të lartë.
Delegacioni kosovar gjatë ditës së djeshme ka pasur disa takime, kurse Haradinaj e ka vlerësuar të rëndësishëm takimin me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Mass. /Telegrafi/