Site icon Telegrafi

Haradinaj takoi ministrin e jashtëm malazez Darmanoviq, merr mbështetje për rrugën euroatlantike të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq.

Haradinaj e ka njoftuar ministrin Darmanoviq për zhvillimet e gjithanshme në Kosovë, përkushtimin e Qeverisë për zhvillim ekonomik, forcimin e rendit dhe ligjit, përmbushjen e agjendës së reformave evropiane, për bashkëpunimin rajonal si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Duke vlerësuar raportet e mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, kryeministri Haradinaj tha se po punojnë me përkushtim për ndërtimin e raporteve të mira bilaterale me të gjitha vendet e rajonit, duke potencuar perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Jemi të përkushtuar që marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore të vazhdojnë edhe në të ardhmen për perspektivën euroatlantike dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të të dy vendeve tona”, tha Haradinaj.

Në takim, është diskutuar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se arritja e një marrëveshje finale ligjërisht obligative me Serbinë, që nënkupton njohjen reciproke, është në interes të dy vendeve dhe do të forconte paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq, tha se Mali i Zi do të mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe do të vazhdojë bashkëpunimin në fusha të interesit reciprok, ndërmjet dy vendeve tona. /Telegrafi/

Exit mobile version