Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, është takuar me përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor Arne Sannes Bjørnstad nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se me Bjørnstad, kanë diskutuar për zgjedhjet e 6 tetorit ku sipas tij Kosova ka kaluar një proces demokratik, që ka dëshmuar që është partner i Evropës.
Ndër të tjera ai ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar edhe për rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë, pa kushte.
“Diskutim i hapur dhe shumë miqësor me përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor Arne Sannes Bjørnstad nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
Në takimin bilateral me z. Bjørnstad, diskutuam mbi dinamikën e ardhshme të bashkëpunimit tonë, si rrjedhojë e një raporti të shkëlqyer deri tani me shtetin norvegjez, i cili ka qenë një partner i rëndësishëm i Kosovës në vazhdimësi.
Potencova faktin se Kosova me nivelin e treguar në zgjedhjet e 6 tetorit, në një proces kaq demokratik, fer dhe të drejtë, ka dëshmuar që është partner i Evropës, me të drejtë i takon kësaj familje të madhe dhe në këtë rrugëtim tonin, kërkojmë mbështetjen e Norvegjisë.
Theksova po ashtu rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë, pa kushte, si proces i rëndësishëm për njohje reciproke, në kufijtë eksistues dhe stabilitet në rajon”, ka shkruar ai./Telegrafi/