Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Lorenzo D’Addario me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në vend.
Sipas njoftimit për media Haradinaj ka falenderuar komandantin D’Addario për punën që po bëjnë ushtarët e KFOR-it për krijimin e një klime paqësore dhe një mjedis të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë.
“Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar rolin dhe kontributin e KFOR-it në mbajtjen e stabilitetit të qëndrueshëm në Kosovë. Bashkëbiseduesit, vlerësuan se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile dhe se bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve vendore të sigurisë është i shkëlqyeshëm”, thuhet në njoftim.
Njoftimi thekson se institucionet dhe të gjithë mekanizmat e sigurisë së Kosovës janë partnerë të përhershëm dhe të besueshëm të misionit të NATO-s për paqe dhe stabilitet./Telegrafi/