Telegrafi

Haradinaj në Berlin: Jemi për marrëveshje me Serbinë që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Berlin, ka zhvilluar takim me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratovic, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff, Die Grünen.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hardinaj ka thënë se me deputetët gjermanë ka biseduar për zhvillimet e gjithëmbarshme në vend dhe rajon si dhe për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë-Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Lexo po ashtu Haradinaj nis takimet në Berlin (Video)

“Kam shprehur qëndrimin se Kosova është pro dialogut për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues. Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv”, ka thënë Haradinaj.

Më tej ka thënë se roli i shtetit gjerman ka qenë dhe mbetet i fuqishëm për konsolidimin e brendshëm e të jashtëm të shtetit të Kosovës dhe aktualisht Kosova gjendet në pikën kulmore të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë.

Pas këtij takimi, rreth orës 11:00, Haradinaj do të zhvillojë takim pune me kancelaren Angela Merkel. Kryeministri do të marrë pjesë edhe në konferencën “Takimet ndërkombëtare”.

Ndërkaq nesër, kryeministri do të jetë pjesë e lutjeve të mëngjesit në Berlin. Ndryshe, kryeministri Haradinaj ka mbërritur në Berlin gjatë ditës së djeshme ku është pritur me ceremoni ushtarake.

Ai është i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli./Telegrafi/