Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk po e kupton se ku e kanë hallin disa zyrtarë të PDK-së që po kundërshtojnë grumbullimin e mjeteve në Fondin e Sigurisë.
Reagimi i Haradinajt vjen pasi deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë sot se mjetet që po grumbullohen për Fondin e Sigurisë nuk duhet që të lejohet të përdoren për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Çka janë çu peshë disa eksponentë të PDK kundër Fondit të Ushtrisë. S’po e kuptoj ku e kanë hallin”, ka thënë Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Më tej ai ka pyetur zyrtarët e PDK-së “A po iu pengon forcimi i ushtrisë, a po iu dhimbsen qytetarët që janë të gatshëm ta ndihmojnë ushtrinë e tyre, apo e kanë problemin me Albin Kurtin?! “
“Nëse është kjo e fundit, ka hapësirë boll për ta sulmuar Albin Kurtin, të cilit edhe ashtu i ‘ka hup rruga n’oborr’!”
Haradinaj ka thënë se “pa ushtri s’ka shtet dhe ta ndihmosh ushtrinë e vendit tënd është detyrë patriotike dhe shqiptarët e dijnë më mirë se kushdo tjetër këtë gjë”.
Ndryshe, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, sot ka deklaruar sot se në Fondin e Sigurisë nuk është e sigurtë prejardhja e mjeteve.
“Ushtria duhet të financohet nga buxheti i shtetit. Për ushtri duhet të ndahet buxhet në rrugë formale, ligjore, që të mos ndodhë komprometimi i këtij institucioni”, është shprehur Berisha.
Ndërkohë, mediat kanë raportuar se kundër grumbullimit të mjeteve për Fondin e Sigurisë është shprehur edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në një tubim me diasporën në Gjermani.
Më tej ajo ka thënë se është keqinterpretuar dhe se deklarata e saj është nxjerr nga konteksti.
“Fondi për ushtrinë duhet të bëhet me ligj që merr mbështetjen në Kuvendin e Kosovës, duhet një ligj i përhershëm dhe fond është i garantuar. Nuk guxojmë nga frika të marrim vendime të tilla, të cilat do t’i kushtojnë shumë Kosovës, nëse ushtria mbetet në vullnetin e qytetarëve të Kosovës për t’u forcuar kjo nuk do të ndodhë kurrë, mendoj se ky fond duhet të bëhet me ligj”, ka thënë Musliu.
Ditë më parë edhe kryetari i Nsmës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Fondi i Sigurisë është më tepër populizëm.
“Ky fond thjesht është populizëm. Ne jemishtet tani, siguria e vendit nuk varet nga fondet”, ka thënë Limaj.
Haradinaj dhe partia e tij që nga fillimi janë përkrahësit më të mëdhenj të Fondit të Sigurisë të krijuar nga Qeveria e Kosovës.
Më 1 mars të këtij viti kryeministri Kurti, ka njoftuar se ka themeluar Fondin e Sigurisë, duke ftuar qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore.
Kurti ka thënë se “në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e ‘Fondit të Sigurisë’”.
Fondi do të menaxhohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe mjetet e grumbulluara do të përdoren për mbështetje të prioriteteve të Qeverisë, duke përfshirë fushën e mbrojtjes, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore apo ngjashëm bazuar në vlerësimin e ekzekutivit.
Mjetet e grumbulluar do të alokohen në Ministrinë e Mbrojtjes për shfrytëzim si buxhet shtesë dhe do të përdoren në përputhje me legjislacionin përkatës për financat publike. /Telegrafi/