Telegrafi

Haradinaj-Stublla thotë se s’mund të ketë njohje të ndërsjellë pa heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se s’mund të ketë njohje të ndërsjellë nëse Serbia nuk e ndryshon Kushtetutën, duke e larguar Kosovën e cila paraqitet si pjesë e saj.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se emisarët ndërkombëtarë për dialogun kanë deklaruar se nuk i kërkohet as Kosovës as Serbisë t’i ndryshojnë Kushtetutat e në anën tjetër liderë institucionalë e opozitarë kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman ofron njohje defakto nga Serbia.

“Në njërën anë emisarët ndërkombëtar për dialogun po na thonë se nuk po u kërkohet as Kosovës as Serbisë t’i ndryshojnë Kushtetutat (për të evituar pyetjet nëse Kosovës po i kërkohet themelimi i Asociacionit një-etnik me kompetenca ekzekutive)”, ka shkruar ish-kryediplomatja.

“Në anën tjetër, liderë institucionalë dhe opozitarë që e kanë parë të njëjtin draft të propozimit franko-gjerman, thonë se ky draft ofron njohje defakto nga Serbia, ku pranohet sovraniteti, integriteti territorial, dhe kufijtë”.

Ndaj, ka thënë se është jetike të sqarohet ditëve në vijim se si pretendohet njohja defakto nga Serbia nëse nuk kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së saj – ku Kosova ende figuron ‘pjesë përbërëse e Serbisë’.

“Çmimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive nuk është kundërvlerë e barasvlershme për njohje”, ka përfunduar Haradinaj-Stublla. /Telegrafi/