Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka thënë se po e nis një rrugëtim të ri në Institucionet e Republikës së Kosovës.
Ajo ka theksuar se do të angazhohet pa ndalë në rindërtimin e urave të miqësive të Kosovës me botën, transmeton Telegrafi.
“Më shumë se një besim i shenjtë, është nder i jashtëzakonshëm për të shërbyer në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesit shtetëror, sovranitetit territorial, rendit kushtetues dhe vlerave të Republikës së Kosovës. Do të angazhohemi pa ndalë në rindërtimin e urave të miqësive të Kosovës me botën, forcimin dhe ruajtjen e lidhjeve të forta e historike me SHBA-të, fuqizimin e partneriteteve strategjike me të gjitha shtetet mike dhe rivendosjen e hallkave të shkëputura në marrëdhëniet e Kosovës me vendet e tjera të botës. Asnjëherë nuk do të pushojmë së ndërtuari aleancën e fortë të Kosovës me bashkatdhetarët tanë kudo që janë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Më tej, ministrja ka bërë të ditur se sot ka realizuar disa vizita.
“Sot, bashkë me kolegët e kabinetit qeveritar nderuam Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz, Kompleksin Memorial ‘Dëshmorët e Kombit’ në Gllogjan, prej ku buron krenaria e vetëbesimi shtetëror e kombëtar, dhe ku na ringjallet kujtesa e dhimbja jonë shekullore.
Jo rastësisht sot, bëra homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Lybeniq të Pejës, 22 vite pas, prej kur forcat paramilitare serbe masakruan në mënyrë çnjerëzore shqiptarët e pafajshëm. Plagët dhe gjaku i derdhur i Kosovës është ende i freskët, dhe do të jetë gjithmonë udhërrëfyes për rrugën tonë përpara”, vijon shkrimi i saj,
Në fund të shkrimit, ajo ka shtuar se “Si betim e zotim, do të punoj me devotshmëri e besnikëri në shërbim të Republikës së Kosovës dhe bashkëqytetarëve tanë”./Telegrafi/