Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj Stublla ka nisur vizitën zyrtare në Vjenë të Austrisë me takimin me eurodeputetin, Lukas Mandl.
Shefja e diplomacisë i ka shprehur mirënjohje eurodeputetit Mandl për mbështetjen që i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës.
“Takova sot në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, Eurodeputetin Lukas Mandl. Shpreha mirënjohjen më të thellë për angazhimin e tij, që ka qëndruar pranë Kosovës në procese të rëndësishme për vendin”, ka thënë Haradinaj Stublla.
Kryediplomatja ka theksuar se me eurodeputetin austriak kanë biseduar edhe për përmbylljen e dialogut Kosovë Serbi me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Me z. Mandl bisedova për arritjet e Kosovës dhe synimet tona, veçanërisht për përmbylljen e dy temave të rëndësishme për Kosovën, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës dhe përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi me njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, është shprehur Ministrja Haradinaj.
Në këtë takim, shefja e diplomacisë ka theksuar gjithashtu nevojën e avancimit të raporteve Kosovë-Austri.
“Theksova nevojën e thellimit të bashkëpunimit tonë në aspektin politik edhe ekonomik, duke zgjeruar kështu edhe miqësinë e veçantë mes shteteve tona. Zoti Mandl dhe zyra e tij angazhohen në avancimin e raporteve Kosovë-Austri”, ka thënë ajo.
Ministrja Haradinaj Stublla po qëndron për vizitë zyrtare në Austri ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të shtetit austriak. /Telegrafi/