Telegrafi

Haradinaj-Stublla takoi deputetin grek, konfirmohet gatishmëria për themelimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka pritur në takim deputetin e Parlamentit të Greqisë, Andreas Patsis.

“Mirëprita sot deputetin grek, z.Andreas Patsis me të cilin bashkëbiseduam për avancimin e raporteve bilaterale ndërmjet të dyja vendeve”, tha Haradinaj-Stublla, duke njoftuar se ka shprehur falënderimin ndaj Greqisë për bashkëpunimin konstruktiv në shumë procese që ndërlidhen me aspiratën Euro-Atlantike të Kosovës.

Ajo më tej theksoi se ka mirëpritur gatishmërinë e deputetit Patsis për të ndihmuar në thellimin e raporteve bilaterale ndërmjet të dyja vendeve, veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik dhe atë të diplomacisë parlamentare.

Në këtë takim, është konfirmuar edhe gadishmëria dhe vullneti për të ndihmuar iniciimin e themelimit të Grupit Parlamentar të Miqësisë mes Parlamentit Grek dhe Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/