Site icon Telegrafi

Haradinaj-Stublla: Singapori me modelin ekonomik të qëndrueshëm dhe inovativ, frymëzim për Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, të hënën zhvilloi një takim virtual me ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan.

“Kisha mundësi të dëgjoj me shumë kureshtje homologun Balakrishnan, i cili ndau detaje nga praktika e Singaporit në menaxhimin efektiv të pandemisë. U pajtuam që menaxhimi i pandemisë është më shumë çështje politike e sociale, sesa mjekësore – sidomos në mungesë të një trajtimi efektiv dhe të qasshëm për të gjithë, duke u zotuar se do të vazhdojmë dialogun praktik për të bashkëpunuar në këtë drejtim”, tha ministrja Haradinaj- Stublla.

“Kosova dhe Singapori besojnë fuqishëm tek multilateralizmi, si një instrument për paqe dhe zhvillim. Kjo provohet edhe ne këtë kohë pandemie, kur Singapori është ndër themeluesit e nismës COVAX për qasje te barabartë në vaksinën kundër COVID19, çka ndihmon vendet e vegjël dhe jo te pasur,” tha ajo.

Kryediplomatja Haradinaj-Stublla tha po ashtu se me fokusin që Kosova ka në shndërrimin e vendit në një qendër rajonale për inovacion dhe teknologji, Singapori vjen natyrshëm si një partner i besueshëm.

“Në këtë kontekst, diskutuam edhe për inicimin dhe finalizimin e disa marrëveshjeve bilaterale, si dhe mundësinë e akreditimit të Ambasadorit Jo-Rezident të Kosovës në Singapor dhe anasjelltas”, tha ministrja, duke bërë të ditur se me homologun e saj janë pajtuar po ashtu që të shkëmbejnë vizita të nivelit të lartë posa të rikthehet normaliteti. /Telegrafi/

Exit mobile version