Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se ka kontaktuar sot me homologun e saj nga Turqia, Mevlüt Çavuşoğlu, për tu njoftuar rreth ndalimit të veteranit të UÇK-së, Imri Ilazi.
Haradinaj-Stublla përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Ilazi është liruar tashmë dhe se Serbia nuk do të duhej të ketë mundësinë të ulet në tavolinën dialoguese përballë Kosovës përderisa përditëson fletë-arrestet politike ndaj luftëtarëve çlirimtarë që mbrojtën pragun e shtëpisë!
Postimi i plotë:
Kam kontaktuar në mëngjesin e sotëm Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë z. Çavuşoğlu – për t’u interesuar rreth ndalimit të veteranit të UÇK-së Gjeneral Imri Ilazi në aeroportin e Antalya-s. Pas disa minutash, Ministri dhe Ambasada jonë në Ankara më njoftuan se z.Ilazi është liruar.
Serbia si palë agresore, që nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka vënë para drejtësisë kriminelët e luftës që vranë, masakruan, dhunuan, shkatërruan e vodhën gjithçka, NUK do të duhej të ketë mundësinë të ulet në tavolinën dialoguese përballë Kosovës përderisa përditëson fletëarrestet politike ndaj luftëtarëve çlirimtarë që mbrojtën pragun e shtëpisë! /Telegrafi/