Site icon Telegrafi

Haradinaj-Stublla, PDK-së e LDK-së: Sqaroni pozicionin karshi Asociacionit, sepse po dukeni qesharak

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka kërkuar nga partitë konkretisht PDK dhe LDK, që kanë nëshkruar Asociacionin në të kaluarën që të sqarojnë pozicionin e tyre.

Haradinaj-Stublla ka shtuar se të njëjtit po duken qesharak, dhe se nëse kanë ndryshime në qëndrim nga e kaluara mund ta bëjnë opozitën rreth kësaj teme.

“Partitë që kanë nënshkruar Asociacionin, dhe që tani kanë liderë të tjerë, është mirë të sqarojnë pozicionin e tyre karshi së njëjtës – e tek nëse ka ndryshime në qëndrim/argumentim nga e kaluara, mund t’a bëjnë ‘opozitën’ rreth kësaj teme. Përndryshe po duken qesharak”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Kujtojmë se kohëve të fundit ka pasur shtim të presioneve nga ana e  ndërkombëtarëve ndaj Qeverisë së Kosovës, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkombëtarët kanë deklaruar se Kosova duhet të përmbushë kërkesat për krijimin e Asociacionit, i cili buron nga marrëveshja e Brukselit e nënshkruar më 2013.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013.

Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen. /Telegrafi/

Exit mobile version