Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla ka shprehur solidaritetin e popullit të Kosovës me Austrinë, pas sulmit me armë zjarri në Vjenë ku ka mbetur të paktën një sulmues i vrarë dhe disa persona të tjerë janë plagosur.
“Kosova solidarizohet me Austrinë ndërsa ne ndjekim nga afër lajmet shkatërruese nga Vjena sonte. Mendimet dhe lutjet tona qëndrojnë me viktimat dhe familjet, pasi qëndrojmë fort së bashku kundër sulmeve qyqare kundër njerëzimit dhe lirisë”, shkruan Haradinaj-Stublla në Twitter.
Policia e Austrisë ka konfirmuar për të paktën një person të vrarë gjatë operacionit policor pas sulmit në një sinagoge sonte në Vjenë, me ç’rast disa persona kanë mbetur të plagosur, në mesin e të tyre edhe një polic.
Në një postim në Twitter, Policia e Vjenës ka bërë të ditur se të shtënat kanë nisur pas orës 20:00, në Seitenstettengasse ku disa të dyshuar me armë zjarri kanë shtënë në gjashtë lokacione të ndryshme, duke lënë një të vdekur dhe disa të plagosur, prej tyre një oficer policie.