Site icon Telegrafi

Haradinaj-Stublla: Kosova për herë të parë me përfaqësues në Departamentin Amerikan të Shtetit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj ka treguar se Kosova për herë të parë do të mund të dërgoj përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Haradinaj-Stublla këtë e bëri të ditur përmes një statusi në rrjetin social në Facebook.

Siç ka shkruar ajo, këtë ia konfirmoi  zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Mattheë Palmer.

“Republika e Kosovës për herë të parë në historinë politike, do të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj në Departamentin Amerikan të Shtetit. Këtë ma konfirmoi gjatë takimit Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Mattheë Palmer. Koordinimi i ngushtë i politikës sonë të jashtme me SHBA-të, dhe profesionalizimi i Shërbimit të Jashtëm sipas praktikave më të larta ndërkombëtare e diplomatike, mbetet përkushtim i përbashkët yni”, ka shkruar ajo.

Ministrja Haradinaj-Stublla po ashtu ka thënë se gjatë takimit që ka pasur me Palmer, bashk me ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi kanë biseduar edhe për dialogun me Serbinë.

Ministrja e Punëve të Jashtme tha se vetëm nën lidershipin amerikan, dialogu do të ketë dinamikën dhe qartësinë e duhur për t’u përmbyllur me njohje reciproke në kufijtë ekzistues

“Diskutuam me Palmer edhe dialogun me Serbinë, ku bashkë me Ministrin e Drejtësisë Selim Selimi theksuam se vetëm nën lidershipin amerikan, dialogu do të ketë dinamikën dhe qartësinë e duhur për t’u përmbyllur me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera ministrja e MPJ-së, Meliza Haradinaj-Stublla. /Telegrafi/

Exit mobile version