Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla është deklaruar para takimit të palës kosovare me atë serbe në Shtëpinë e Bardhë.
Ajo ka treguar se në këtë takim pala kosovare do të hyjë me parime të pa negociueshme, siç janë ruajtja e integritetit territorial, rendit kushtetues, dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës, me objektivin e vetëm për njohje reciproke me Serbinë.
“Sot delegacioni i Kosovës që hyn në Shtëpinë e Bardhë ka mandat dhe mirëbesim të dialogojë vetëm si shtet i pavarur dhe sovran përballë Serbisë, e cila do të duhej të ndihet e turpëruar që ulet në tavolinë përballë Kosovës në disavantazh, pa kërkuar falje për krimet gjenocidale, dhe pa vënë para drejtësisë kriminelët e luftës.
Sot delegacioni i Kosovës ulet përballë Serbisë me këto parime të pa negociueshme: ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues, dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës, me objektivin e vetëm për njohje reciproke me Serbinë. Çdo gjë tjetër jashtë kësaj kornize parimesh, është në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe NUK BESOJ se kemi rrezik për t’u shqetësuar”, ka shkruar ajo në Facebook, përcjell Telegrafi.
Tutje në shkrimin e bërë, ministrja ka thënë se rruga deri këtu nuk ishte e lehtë dhe pa pengesa.
“Përkundrazi: të gëzohemi sot, dhe të lirojmë frymën e mbajtur brenda nesh deri tash. Rruga deri këtu nuk ishte e lehtë dhe pa pengesa. Jemi këtu sepse Kosova nuk u zmbraps kur ishte vështirë, dhe qëndroi e palëkundur në të drejtën e saj. Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Kosovën”. /Telegrafi/