Telegrafi

Haradinaj-Stublla fillon vizitën zyrtare në Hungari, pritet të nënshkruhen tri marrëveshje bilaterale  

Ministrja e re e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj- Stublla, sot qëndron për vizitë zyrtare në Hungari, ku do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë hungarezë dhe studentë nga Kosova në Budapest.

Në njoftimin për media thuhet se kryediplomatja kosovare do të pritet në takim nga homologu i saj, ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto, me të cilin do të diskutojë zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Pas këtij takimi, ministrja Haradinaj-Stublla dhe ministri Szijjarto do të nënshkruajnë tri marrëveshje dypalëshe – Marrëveshjen midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë për promovimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve; Programin e Bashkëpunimit mbi Shkencën dhe Arsimin e Lartë për vitet 2021-2023; si dhe Memorandumin e Bashkëpunimit Brenda Kornizave të Bashkëpunimit të “Stipendum Hungaricum Programme” për vitet 2020-2023.

Gjatë qëndrimit në Budapest, shefja e diplomacisë kosovare, do të vizitojë edhe Parlamentin hungarez, ku do të ketë takim me kryetarin e komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë, Zsolt Nemeth. /Telegrafi/