Site icon Telegrafi

Haradinaj-Stublla e quan Vuçiqin “këlyshi i Rusisë”, thotë se ai po kërcënon me luftëra të reja në Ballkan

Foto: Arkiv

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar në Twitter ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili paralajmëroi se nëse nuk arrihet një kompromis me Kosovën përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, atëherë konflikti “i ngrirë” mund të “shkrihet” në të ardhmen duke treguar llojin e konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Haradinaj-Stublla përmes Twitter-it ka thënë se politika dhe qasja e siç e quajti ajo “këlyshi i Rusisë”, Vuçiqin, është kundër vlerave të BE-së dhe NATO-s.

“Politika dhe qasja e këlyshit të Rusisë është qartë kundër vlerave të BE-së dhe NATO-s për politikat e sigurisë në Ballkan. Të gjitha përpjekjet ruse e serbe për të minuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit janë të papranueshme për Kosovën dhe me siguri do të dështojnë sikurse kapitullimi i tyre i vitit 1999”, shkruan Haradinaj Stublla.

Ajo ka shkruar po ashtu se ministri i Informacionit i Millosheviçit, po kërcon NATO-n dhe vendet fqinje për përgatritje ushtarake për luftëra të reja në Ballkan.

“Pasi nxitën luftën e Nagorno-Karabak me armë të bëra në Serbi, Ministri i Informacionit i Millosheviçit, Vuçiq tani kërcënon të gjithë, NATO-n dhe vendet fqinje se do të vazhdojë të përgatitet ushtarakisht për luftërat e reja në Ballkan”, shkruan Haradinaj-Stublla.

Ndryshe, presidenti i Serbisë paralajmëroi sot se nëse nuk arrihet një kompromis me Kosovën përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, atëherë konflikti “i ngrirë” mund të “shkrihet” në të ardhmen duke treguar llojin e konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Aleksandar Vuçiq është zotuar se çfarëdo që të ndodhë me bisedimet në Bruksel, Beogradi do të vazhdojë të forcojë veten ekonomikisht dhe ushtarakisht për të siç tha ai “të mbrojë vendin në çdo moment nga çdo agresor i mundshëm”.

Lexo po ashtu Pas "kërcënimit të Vuçiqit për luftë të dhunshme në Kosovë", Osmani kërkon ndërhyrjen e BE-së dhe NATO-s

“Për mua, është e rëndësishme t’ju them se konflikti në Nagorno-Karabak tregoi se si një konflikt i ngrirë mund të përshkallëzohet në një katastrofë të vërtetë”, thotë Vuçiq.

Lexo po ashtu Vuçiq paralajmëron për një “konflikt me Kosovën si në Nagorno-Karabak”, nëse dështojnë përpjekjet për kompromis

“Njëra prej tyre është që ne nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë një konflikt të ngrirë. Kompromisi nuk do të thotë që ne do ta arrijmë atë, duhen dy anë”, thotë ai.

Siç deklaron ai më tej, bota, përveç deklaratave, nuk është e gatshme të reagojë, dhe çfarëdo që të ndodhë – në fund të fundit ju duhet të mbështeteni në forcën tuaj.

“Kjo është arsyeja pse Serbia do të vazhdojë të forcohet ekonomikisht dhe ushtarakisht”, citohet të ketë thënë Vuçiq. /Telegrafi/

Exit mobile version